Ndërtim në Butrint, PD thërret Kumbaron në Kuvend

10/10/2017 00:00

Leja e firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro në fund të muajit maj për të ndërtuar në Parkun e Butrintit është bërë shkas që kjo të kthehet në një debat politik.

Partia Demokratike, e cila ka thirrur ministren Kumabro në një seancë dëgjimore të mërkurën pasdite, thotë se gjithçka është e paligjshme dhe se ndërtimi anash një muri antik të shekullit VII p.e.s. është e ndaluar.

“Arkeologë e profesionistë të shquar të fushës, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kanë denoncuar me forcë mënyrën skandaloze të vendimeve të marra për një ndërtim nga ministrja e Kulturës pranë një muri prehistorik, që daton në shekullin VII dhe V para Krishtit, ku ndërtimet janë kategorikisht të ndaluara. Procedura e dhënies së lejeve nga ana e Keshillit Kombëtar të Arkeologjisë e më pas nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (të dy të kryesuar nga Ministrja vetë) janë në shkelje totale të ligjit”, tha deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.

Sipas lejes së firmosur nga ministrja Kumbaro, bëhet fjalë për rehabilitimin dhe ndërtimin e pikave të shërbimit në Parkun antik të Butrintit, me kushtin e moprekjes së nëntokës. Por,  Albana Vokshi jep një tjetër informacion kundër ndërtimit.
 
“Po sot, përfaqësuesja e UNESCO-s u shpreh se ky institucion nuk ka dhënë asnjë leje për një ndërhyrje të tillë, çka nxjerr zbuluar ministren Kumbaro”, tha Vokshi.

Partia Demokratike i kërkoi prokurorisë të bëjë hetim për çështjen, ndërsa qeverisë i bëri thirrje të ndalojë çdo punim derisa gjithçka të sqarohet dhe të bëhet transparencë për një projekt që Ministria, sipas opozitës, refuzon ta bëjë publik.

Top Channel