Pas Parkut Kombëtar të Butrintit në vitin 2012 dhe Muzeut Historik Kombëtar në vitin 2014, Muzeu i Krujës, Kalaja e Beratit, Muzeu Onufri në Berat, Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar Arkeologjik i Apolonisë dhe ai i Shkodrës, kanë të njëjtin sistem biletarie, falë mbështetjes së dhënë nga Fondi Amerikan për Zhvillim prej 530 mijë dollarësh.

“Është një sistem, i cili në fakt nuk fillon sot. Ka filluar që me instalimin e biletarisë së Butrintit. Në vazhduam më një tjetër biletari elektronike në Muzeun Historik Kombëtar dhe sot vijmë me 7 site të reja që pajisen me këtë sistem.

Nuk është thjesht një makinë më shumë, është një hap drejt respektimit të ligjit për sa i përket formalizmit, fiksalizimit të të ardhurave që vijnë nga trashëgimia kulturore, por është një hap shume i rëndësishëm në atë që e kemi të qëllimshme rritje të shërbimit të standardit të cilësisë që na ofrojnë sitet e trashëgimisë”, u shpreh Mirela Kumbaro.

“Në njëfarë mënyre trashëgimia kulturore e një vendi nuk janë thjesht edhe vetëm gurët, kalatë apo sitet e trashëgimisë kulturore, ajo është ADN-ja e një vendi për të parë nga e ardhmja. ADN-ja e njeriut përmban informacionin gjenetik, ndërsa ADN-ja e historisë është trashëgimia kulturore”, thotë Michael Granoff.

Kumbaro dhe Granoff inspektuan edhe qendrën, ku edhe do të kryhet monitorimi online i të gjithë sistemit të biletarive në të gjitha sitet arkeologjike në vend, të pajisura tashme me këtë sistem.

Top Channel