Hamilton: Avantazhi, ëndërrues për titullin; Vettel: S’duhet të jesh gjeni matematike

08/10/2017 00:00

“Ishte bukur, një ditë shumë e bukur dhe një garë e madhe. Pista ishte fantastike dhe skuderia ime bëri një punë të shkëlqyer. Verstappen? Zhvilloi një supergarë, duke e bërë shumë të vështirë tonën”.

Këto janë fjalët e para të Lewis Hamilton pasi zuri vendin më të lartë të podiumit në Çmimin e Madh të Japonisë, në pistën e Suzukës.

“Red Bull ishin më të shpejtë sa i përket konfigurimit për garën, por ia dola t’i mbaj pas ato. Ishte e vështirë sidomos për shkak të futjes së makinës së sigurisë në pistë”, shtoi më tej piloti britanik.

Sa i përket luftës për titullin kampion bote, ku Hamilton kërkon të rikthehet pas fitores së vjetshme të Nico Rosberg, Hamilton shprehet:

“Mund të them se vetëm sa mund ta kisha ëndërruar një avantazh të tillë. Ferrari ka qenë një kundërshtar i qëndrueshëm përgjatë të gjithë vitit, por ajo që mund të them është se duhet t’i heq kapelën skuadrës sime për punën e tyre të shkëlqyer. Sigurisht që kam edhe unë kontributin tim, por Mercedesi po tregon se është makina më e fortë dhe se po funksionon pa gabime. Titulli? Ende nuk po e mendoj, jam i lumtur me klasifikimin, por duhet të vazhdojmë kështu e të mos i shtrijmë këmbët më shumë sesa jorgani”, ka deklaruar Hamilton.

Në podium u ngjitën Max Verstappen dhe Daniel Ricciardo, dy pilotët e Red Bullit. Holandezi e bëri të vuante britanikun deri në fund. “Jemi duke u rritur e përmirësuar, ishte një garë e bukur. Jam i lumtur për këtë arritje, sepse Suzuka është një pistë që e adhuroj. Hapat që kemi bërë janë premtues. Me gomat e buta isha më mirë, dhashë gjithçka mundesha, por nuk munda ta parakaloja Hamiltonin”, thotë Max.

“Ky është podiumi im i parë në Suzuka. Pista më pëlqen shumë, por me këtë makinë që kam sfida u bë edhe më argëtuese. Gara u nda në dy pjesë, por presioni që ushtroi Bottas në fund ma bëri më emocionuese këtë garë dhe këtë sukses”, shtoi australiani.

I “mposhturi” i madh në këtë garë ishte padyshim Vettel. Gjermani nuk e fsheh keqardhjen pas tërheqjes së detyruar, gjatë xhiros së pestë të garës në Suzuka të Japonisë.

“Nuk ishte dita jonë. Patëm një problem të vogël që na shkaktoi telashe edhe më të mëdha. E kuptova që kisha një problem me fuqinë e motorit që në xhiron e formatimit”, thotë Vettel.

Një goditje e hidhur, që me të gjitha gjasat i shuan shpresat për Botërorin, siç e pranon edhe vet piloti i Ferrarit.

“Nuk ka nevojë të jesh një gjeni matematike që të kuptosh se tashmë është shumë e vështirë. Por duhet të kthehemi në shtëpi e të çlodhemi. Kemi shumë mundësi për të bërë mirë të paktën në 4 garat e fundit të Botërorit”.

Top Channel