Franca e Portugalia bëjnë detyrën

08/10/2017 00:00

Franca mori një fitore minimale ndaj Bullgarisë 1-0, por ruan vendin e parë në Grupin A të kualifikueseve të Botërorit 2018.

Për skuadrën e Didier Deshamps mjaftoi goli i Matuidi që në minutën e 3 të sfidës për të marrë këto 3 pikë, megjithatë çështja e kualifikimit direkt do të zgjidhet vetëm në ndeshjen e fundit, pasi edhe skuadra ndjekëse Suedia fitoi ndaj Luksemburgut me rezultatin e thellë 8-0.

Sukses arriti edhe Holanda, e cila mposhti Bjellorusinë 3-1, një fitore kjo që pak i shërben skuadrës së Dick Advokaat, që si kundershtar të fundit në këto kualifikuese do të ketë Suedinë, që ka një golavarazh shumë më të mirë se ajo.

Edhe Zvicra e Portugalia bënë detyrën në ndeshjet e tyre të parafundit të eliminatoreve kundër Hungarisë dhe Andorës dhe në fund do të përballen me njëra-tjetrën për të përcaktuar përfundimisht se cila prej tyre do të shkojë direkt në Rusi, me Zvicrën që ka një avantazh prej 3 pikësh ndaj kampionëve të Europës, por këta të fundit kanë një golavarazh më të mirë.

5-2 ishte rezultati në fitoren e Zvicrës ndaj Hungarisë, ndërsa Portugalia u mjaftua me suksesin 2-0 ndaj Andorës,  ku ata që shënuan ishin Cristiano Ronaldo e Andre Silva.

Në ndeshjet e tjera Estonia shkatërroi Gjibraltarin 6-0, ndërsa Greqia mundi Qipron 2-1.

Top Channel