Çelet Argjiro Fest 2017. Miqësi, folklor dhe artizanat

07/10/2017 00:00

Argjiro Fest 2017 është hapur mbrëmjen e së premtes në qendrën historike të Gjrokastrës. Festa e  folklorit, artizanatit dhe miqësisë do të zgjasë 4 ditë dhe ka grumbulluar në qytet artizanë nga e gjithë Shqipëria, si dhe grupe folklorike nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria e Kroacia.

Mijëra vizitorë gjenden në qytet për të kaluar një fundjavë festive. Fillimisht qyteti i dha mirëseardhjen paradës së kostumeve të grupeve që do të marrin pjesë në festival.

Kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami tha se festa përveçse i jep jetë qytetit, promovon këtë pasuri të trashëgimisë botërore.

“Argjiro Fest këtë vit vjen në një format më të zgjeruar. Ne jemi përpjekur të integrojmë edhe Festën e Birrës dhe panairin e artizanëve. Janë të ftuar gjithë gjirokastritët anembanë Shqipërisë dhe pse jo qytetarët e vendeve të tjera, që mund të vijnë e të argëtohen me këto ekspozita në këto 4 ditë”, deklaroi Rami.

Panairi i artizanatit ka mbledhur në pazarin karakteristik mbi 40 artizanë nga i gjithë vendi. Në këtë event spikat larmia e produkteve, gjeografia e tyre, materialet e përdorura dhe rizgjimi i traditës për t’i sjellë ato sa më origjinale.

Katër ditët e Argjiro Fest do të jenë të mbushura me evente kulturore, si ekspozita fotografike, ekspozita pikture, panair libri, ceremoni vlerësimi për pjesëmarrësit në festival, maratona simbolike nëpër monumente.

Top Channel