Kualifikueset e tjera, Serbia e Islanda drejt Botërorit

06/10/2017 00:00

Në ndeshjet e tjera të kësaj të premteje për kualifikueset e Botërorit të vitit të ardhshëm në Rusi, grupet D dhe I nuk kanë dhuruar ende asnjë verdikt. Kjo për shkak se në grupin D, Austria mposhti 3-2 Serbinë kryesuese, që ndonëse nuk u jep asgjë austriakëve përveç prestigjit të mposhtjes së serbëve, pengoi këta të fundit të siguronin kualifikimin.

Përfaqësuesja nga Beogradi e sheh veten tashmë në kuotën e 18 pikëve, një më shumë sesa Uellsi i vendit të dytë dhe 2 nga Irlanda e vendit të tretë. Gjithçka do të vendoset në Beograd, në ndeshjen e fundit përballë Gjeorgjisë, ndërsa Uellsi do të duhet të luajë të gjitha kartat përballë Irlandës, me favorin se edhe një barazim mund ta çojë në fazën “play off”.

Uellsi fitoi sot ndaj gjeorgjianëve 1-0 në transfertë, ndërsa Irlanda mposhti 2-0 në shtëpi Moldavinë.

Në grupin I, ku ndodhet edhe përfaqësuesja tjetër shqiptare, ajo e Kosovës, e cila u mposht 2-0 në “Loro Boriçi” nga Ukraina, janë ishullorët e Islandës që kanë marrë kryesimin, me fitoren 2-0 përballë Turqisë, ndërsa Kroacia hodhi një hap fals përballë Finlandës, me barazimin 1-1 që i zbret ballkanasit në vendin e dytë, me 2 pikë më pak sesa Islanda.

Ukraina ngjitet në vendin e tretë, duke lënë jashtë çdo objektivi turqit. Ndeshja e fundit vendimtare do të jetë ajo mes Ukrainës dhe Kroacisë, ndoshta për të përcaktuar biletën e “play off”-it, pasi Islanda do të ndeshet ndaj Kosovës, në një sfidë relativisht të lehtë për ishullorët.

Top Channel