Iniesta, përjetësisht me Barçën

06/10/2017 00:00

Klubet që kishin shfaqur së fundmi interes për Andres Iniestën duhet ta harrojnë përfundimisht atë. Mesfushori 33-vjeçar rinovoi përjetësisht me Barcelonën, pas bisedimeve të shumta dhe të komplikuara me drejtuesit e klubit katalanas.

Klubi katalanas zyrtarizoi lajmin për nënshkrimin e kontratës së re me Iniestën, mesditën e së premtes, nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Është një ditë e veçantë për mua”, u shpreh Iniesta në një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të kontratës me Barcelonën. “Do të vazhdoj të qëndroj në shtëpinë time, për të vijuar punën në fitoren e trofeve të tjerë me këtë klub, që më krijoi e që më pa të rritem. Të jem kapiteni i Barcelonës për mua është një privilegj. U jam mirënjohës drejtuesve të klubit, që më dhanë këtë mundësi për të vazhduar të përjetoj ëndrrën e sukseseve të tjera me këtë skuadër”, tha më tej lojtari më i dashur edhe në kombëtaren e Spanjës.

Iniesta pranoi gjithashtu se, së fundmi në media u fol shumë për të ardhmen e tij, duke shtuar se ai nuk kishte asnjë dyshim se ku do të ishte ajo.

“Gjithnjë e kam pasur të qartë idenë se, do të qëndroja te Barcelona për sa kohë do të mundesha në aspektin fizik dhe psikologjik. Mendimi që më ka pushtuar mendjen është që të arrijmë në fund të sezonit dhe të arrijmë objektivat. Shpresoj që kjo të ndodhë për shumë kohë”, vijoi Iniesta.

Top Channel