Ruçi “fal” Bashën. Incidenti, opozita bllokoi sallën e Parlamentit

05/10/2017 00:00

Edhe pse ishte menduar se do të ishte një seancë në kufijtë e normales, ku do të votohej në unanimitetit për ngritjen e komisionit për Reformën Zgjedhore, një kërkesë e opozitës për ta shoqëruar vendimin me diskutime, solli atë që nuk pritej, përjashtimin e kreut të opozitës nga seanca. Mazhoranca e klasifikoi kërkesën jashtë rregullores dhe e rrëzoi atë.

“Unë nuk mund të pranoj që ne të bëhemi instrument i axhendës së PD”, tha Taulant Balla.

Situata u përkeqësua pas votimit, pasi Lulzim Basha këmbënguli tek e drejta e opozitës për të diskutuar mbi projektvendimin për reformën.

“Ky biçim Parlament po degradon nga dita në ditë. Sot, ke në rendin e ditës çështjen më të rëndësishme të Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështjen e zgjedhjeve dhe ti ngre kartonët këtu për t’i mbyllur gojën opozitës, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Ju keni lepurin në bark. Nuk dini nga të ja mbani, pasi nga njëra anë ju ka kapur Elbasani dhe nga ana tjetër rruga e Elbasanit”, tha Basha.

Kreu i Parlamentit e konsideroi të parregullt kërkesën dhe duke hedhur poshtë propozimin e opozitës për ta zhvilluar debatin pasdite, e paralajmëroi 2 herë Bashën për përjashtimin.

“Mos pushtoni foltoren se sipas rregullores ndëshkohesh dhe nuk dua ta nis seancën me ndëshkimin tuaj si deputet”, tha Ruçi.

Me opozitën në foltoren e Kuvendit dhe me socialistët dhe LSI-në që vendosën me votë ta zhvillojnë javën e ardhshme debatin, kreu i Parlamentit nuk nguroi kur dha vendimin për Bashën.

“Jap masën e përjashtimit nga seanca plenare të deputetit Lulzim Basha”.

Seanca u ndërpre disa herë, por opozita nuk doli prej sallës së Parlamentit, edhe pse punimet u lajmëruan për orën 18:00 pasdite.

Pas 5 orësh ndërprerje, seanca rinisi po aty ku ishte ndërprerë në orën 13:00, me deputetët demokratë që mbanin të rrethuar foltoren. Në pak minuta u miratua vetëm ngritja e komisioneve të parashikuara në rendin e ditës, por jo Komisioni për Reformën Zgjedhore. Ndërkaq, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, u shpreh se po e falte këtë herë deputetin Lulzim Basha.

“Duke qene se deputeti ndëshkohet për herë të parë, nuk po ushtroj kompetencën që më jep rregullorja për të thirrur Byronë e Parlamentit për të marrë masa akoma më të rënda për situatën e sotme”, tha Ruçi.

Pasi la sallën e Parlamentit, kreu demokrat e cilësoi si të papranueshme këtë ngjarje, duke i bërë edhe një thirrje qytetareve.

“Të marrin Parlamentin në duart e tyre. Grupi parlamentar i PD do të shqyrtojë këtë gjëndje të rëndë dhe do të rekomandojë hapat e mëtejshëm dhe nuk do të lejojmë kurrë që Gramoz Ruçi dhe Edi Rama ta kthejnë 30 vite më pas orën e Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Top Channel