KSHH denoncon dhunën ndaj një të burgosuri në Peqin

05/10/2017 00:00

Një i burgosur i Peqinit është dhunuar fizikisht nga punonjësit e IEVP-së. Rasti bëhet publik nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pas sinjalizimit të marrë për rastin.

Sipas KSHH, grupi i gatshëm i policisë së burgjeve ka kryer kontroll për sendet e ndaluara më 30 shtator, rreth orës 22.30 në sektorin e sigurisë së lartë në burgun e Peqinit.

Gjatë këtij kontrolli, uniformat e policisë së burgjeve janë futur në qelinë nr. 12, të këtij sektori, ku kanë pyetur të dënuarit e pranishëm nëse kishin sende të ndaluara. I dënuari V. G., është përgjigjur se nuk kishin sende të ndaluara. Pas kësaj përgjigjeje, i dënuari V.G pretendon se punonjësit e Grupit të gatshëm e kanë goditur atë me shkopinj gome në pjesë të ndryshme të trupit si në shpinë, bark dhe shputat e këmbëve.

 “Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta”, thuhet në raportin e KSHH-së.

Top Channel