Italia, alarm në mesfushë në kualifikueset e fundit

05/10/2017 00:00

Me emergjenca në mesfushë dhe një bomber si Belotti për t’u zëvendësuar, kombëtarja italiane e futbollit nuk mund të ishte e qetë para dy kualifikueseve të këtij muaji.

Edhe pse përballë janë rivalë plotësisht të kalueshëm, si Maqedonia dhe Shqipëria, formacioni i “të kaltërve” nuk iu afrohet sfidave ndaj ballkanasve në kushte optimale.

Nga kjo e enjte e deri të hënën luftohet për një pikë, që garanton hyrjen matematikore në fazën e “play off”-it për Botërorin 2018.

Duke konsideruar kundërshtarët modestë dhe me shumë mundësi për rezultate, kombëtarja italiane mbetet brenda objektivit për të siguruar përballjet shtesë, që do të mund ta çojnë në Rusi.

Por trajneri Ventura po studion alternativat, në krahasim me skemën 4-2-4 që kishte karakterizuar daljet e fundit të “axurrëve”.

Mungesa që spikat më shumë është ajo e Belottit, që e detyron Immobilen të mbajë peshën i vetëm në sulm. Në mesfushë, duke konsideruar mungesat e mëdha, titullarë pritet të jenë Parolo dhe Gagliardini, si dhe Zapacosta e Darmian në krahë.

Top Channel