Dekriminalizimi, Basha: Indiciet nga qytetarët

05/10/2017 00:00

Partia Demokratike mbledh informacione nga qytetarët në lidhje me deputetët, që dyshon se preken nga ligji i dekriminalizimit.

Duke folur në Top Story për kërkesën drejtuar Prokurorisë për heëtime të mëtejshme të Rakipit të PDIU-së dhe Gjetanit të PS-së, Lulzim Basha tha se indiciet e para janë marrë nga qytetarët.

Sokol Balla: Keni thënë që do të nisni një aksion të ri politik sa i përket luftës kundër krimit. Dorëzuat në prokurori një kërkesë për hetime të mëtejshme për dy deputetë, një të PDIU dhe një të PS. Keni të dhëna konkrete që për zotin Gjetani dhe zotin Rakipi kanë lidhje apo të shkuar kriminale?

Lulzim Basha: Krimi dhe problematika që shkakton tek njerëzit, burimi kryesor nuk janë mediat apo analizat tona, është kontakti me njerëzit. Njerëzit janë të trembur nga krimi, prek jetën e tyre. Kanë frikë nga krimi. Krimi goditi me makinë të blinduar policinë, e vuri përpara. Të gjitha këto ndodhin sepse peshku është qelbur nga koka, sepse politika është bërë njësh me krimin. Ne vazhdojmë misionin tonë dhe misioni ynë është zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit. Në këtë kuadër ne mbledhim informacione. Për këta dy deputetë kemi informacione të besueshme dhe i jemi drejtuar Prokurorisë të bëjë detyrën e saj. Jemi në shqyrtim të informacionit edhe për deputetë të tjerë të mazhorancës. Jemi në verifikim dhe u bëj thirrje qytetarëve që të denoncojnë.

Top Channel