
Vendimin e kryetarit të Kuvendit për përjashtimin e Lulzim Bashës nga seanca plenare, kryetari i Partisë Demokratike e cilësoi përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës.
Duke folur për mediat jashtë sallës, Basha tha se pasi “Edi Rama i preu zërin dhe figurën Parlamentit, sot urdhëroi ministrin e Sigurimit të Shtetit të aplikonte format e diktaturës komuniste”.
“Parlamenti është vendi ku opozita ushtron të drejtën e saj të patjetërsueshme për debat dhe fjalën e lirë. Nëse kjo e drejtë shkelet, nëse Rregullorja e Parlamentit shkelet, sepse Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë frikë të përballen me të vërtetën e Shqipërisë nën thundrën e krimit të bërë njësh me Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin, atëherë ora e këtij Parlamenti merr fund shumë shpejt”, tha Basha.
Basha thotë se bashkëekzistenca demokratike është e rrezikuar.
“Nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe njëherë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe dhe ekzekutoi në të gjitha format dhe mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëherë ka ardhur koha të themi të vërtetën troç; paqja sociale është e rrezikuar, bashkëekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta por, detyrimi, ti bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre”, deklaroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike e quajti atentat ndaj demokracisë, ndërsa tha se grupi parlamentar do të rekomandojë hapat e mëtejshëm.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të shqyrtojë këtë gjendje të rëndë dhe do të rekomandojë hapat e mëtejshëm që Partia Demokratike, jo vetëm Grupi Parlamentar i saj, por edhe aleatët tanë, dhe gjithë qytetarët, do të hedhim së bashku. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Gramoz Ruçi dhe Edi Rama ta kthejnë 30 vite pas orën e Shqipërisë”, u shpreh Basha.
Top Channel