Basha: Biznesi i vogël me TVSH? Marrëzi!

05/10/2017 00:00

Lulzim Basha e quajti marrëzi dhe shkatërruese për ekonominë idenë e Qeverisë për të futur në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe biznesin e vogël.

“Marrëzia e fundit është ideja që tani TVSH të paguhet nga biznesi i vogël. Pra, zhdukja e biznesit të vogël. Është sharlatanizëm ekonomik që vjen nga dyshja që ka një rekord dështimesh në ekonomi, që është Rama-Ahmetaj, por është më shumë se sharlatanizëm ekonomik; u tregon qartë shqiptarëve se kujt u shërbejnë këta njerëz. Prej kohësh manjatët kërkojnë që t’u transferohet TVSH-ja tek biznesi i vogël dhe këta nuk bëjnë gjë tjetër, por janë bërë shërbëtorët e manjatëve”, tha Basha.

Duke folur në Top Story me Sokol Ballën, Basha paralajmëroi efektet e këtij vendimi, sipas tij.

“Kjo është shkatërruese për biznesin e vogël. Do të kërcënojë mbi 280 mijë vende pune që janë të lidhura drejtpërdrejtë me biznesin e vogël. I shkatërron dhe i çon në faliment total sepse biznesi i vogël nuk ka kapacitete që të angazhohet në pagesën e TVSH-së dhe rimbursimin e saj, sepse vetëm kontabilistët për t’u përfshirë në këtë veprim, do të thotë që të gjithë fitimin e vet të paguajë llogaritarin. Nuk mund të ndodhë kjo”, deklaroi ai.

Basha thotë se zgjidhja është një tjetër.

“Zgjidhja është rritja e kufirit të biznesit të vogël tek 12 milionë lekë dhe kjo do të mundësojë nga njëra anë të zgjidhet një problem i drejtë në raport me biznesin e madh për këto fatura dhe e dyta, do të çlirojë biznesin e vogël, që është shtylla e ekonomisë shqiptare që në këto ditë kaq të vështira të mos ketë një çekan tjetër mbi kokë”, tha ai.

Top Channel