Kosova premton surpriza në kualifikueset e fundit

03/10/2017 00:00

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka besuar 23 lojtarëve për dy sfidat e fundit të kualifikueseve të para në historinë e saj, në një fushatë për Botërorin 2018 që ishte më së shumti zhgënjyese.

Trajneri Albert Bunjaku premtoi surpriza ndaj Ukrainës, më 6 tetor në “Loro Boriçi” të Shkodrës, si dhe kundër Islandës, më 9 tetor në Rejkjavik.

Përballë Kosovës do të jenë dy skuadra pretendente për vendin e parë në grup, por trajneri i Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë që skuadra e tij të befasojë, pasi presioni i fitores është te rivalët.

Për këto dy ndeshje kualifikuese, Kosova nuk ka grumbulluar për shkak të lëndimeve Enis Alushin, Herolind Shalën, Benjamin Kolollin dhe Arbër Zenelin. Por mungesat nuk ndalen me kaq, pasi Bernard Berisha e Valon Berisha do të jenë të pezulluar kundër Ukrainës, për shkak të kartonëve.

Top Channel