Eurovolej, finale mes Serbisë dhe Holandës

01/10/2017 00:00

Froni i kampiones së Europës në volejboll për femra do të diskutohet mes Serbisë dhe Holandës.

Skuadra serbe eliminoi me lehtësi në gjysmëfinale Turqinë, me rezultatin 3-0, që në çerekfinale shkaktoi surprizën teksa mundi kampionët në fuqi të Rusisë.

Ishte një ndeshje që nuk kishte shumë histori, me skuadrën serbe që e dominoi takimin totalisht falë edhe paraqitjes së shkëlqyer të Tijana Boskoviç. Rezultati i tre seteve ishte 25-17, 25-12 dhe 25-21, të fituara nga skuadra ballkanase, që do t’i duhet të tregojë forcën e saj edhe përballë Holandës.

Kjo e fundit vuajti jo pak në përballjen me Azerbajxhanin, të cilën e mundi 3-2, duke prerë biletën për në finalen e dytë radhazi, pas asaj të vitit 2015. Ajo që e nisi më mirë takimin ishte skuadra azere, që fitoi setin e parë 25-20, më pas erdhi dominimi i Holandës që arriti të përmbysë disavantazhin në 2-1, duke fituar setin e dytë dhe të tretë me të njëjtin rezultat: 25-19.

Seti i katërt rezultoi të ishte edhe më emocionuesi. Holanda dominoi për pjesën më të madhe të tij, madje krijoi edhe një diferencë prej 7 pikësh. Por Azerbajxhani reagoi dhe përmbysi gjithçka, duke e fituar fraksionin 27-25, për ta çuar ndeshjen në set final, që në fund u fitua nga volejbollistet holandeze 15-12.

Top Channel