U21 përgatitet për ndeshjen me Islandën

30/09/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare U21 do të luajë në 10 tetor ndeshjen e radhës së kualifikueseve të Europianit të vitit 2019 me Islandën, ku do të kërkojë të përsërisë suksesin e një muaji më parë, për të marrë 3 pikë.

Trajneri i Shpresave, Alban Bushi është shprehur i bindur tek shanset e ekipit të tij për sukses: “Islanda është një ekip cilësor, por ne mund të fitojmë sërish ndaj saj. Unë personalisht, në eksperiencën time të parë si trajner, kam mbetur i kënaqur nga skuadra pas 3 ndeshjeve të para. Mund të kishim marrë më shumë përsa u përket rezultateve, por futbolli është i tillë”.

Bushi prezantoi edhe listën e të grumbulluarve për këtë ndeshje, ku  spikat prania e 11 futbollistëve nga kampionati shqiptar: “Kampionati shqiptar ka lojtarë të mirë. Niveli është rritur në vitet e fundit, por kjo rritje në cilësi duhet të vazhdojë. Kam grumbulluar shumë futbollistë, ndërkohë që të tjerë janë piketuar për t’i parë në ndeshjet miqësore të muajit nëntor”.

Në fund, trajneri Alban Bushi konfirmoi se së shpejti do t’i bashkohen skuadrës së tij dy futbollistë të rinj që luajnë në kampionatin danez, vëllezërit Agon dhe Arbnor Muçolli.

Top Channel