Tirana përballë Naftëtarit, Ze Maria: Nuk ka ndeshje të sigurta

29/09/2017 00:00

Pas dy ndeshjeve të para dhe dy fitoreve të arritura ne Kategorinë e Parë, Tirana përgatitet të luajë ditën e shtunë përballë Naftëtarit.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një skuadër e cila në Kupë përballë Partizanit, në të dyja ndeshjet, pësoi 13 gola, trajneri bardheblu Ze Maria nuk ka ndërmend të marrë si referncë këto takime të Kupës.

“Djemtë e mi nuk mund ta marrin lehtë asnjë ndeshje dhe këtë gjë e dinë shumë mirë. Ne jemi Tirana dhe çfarëdo kundërshtari duhet ta shohim si të jetë skuadra kampione e Shqipërisë. Ndoshta në ndeshjen e Kupës që Naftëtari ka pësuar 13 gola mund të ketë luajtur me të rinjtë, ashtu sikurse ne bëmë në Kupë, por çdo ndeshje ka historinë e saj. Në futboll nuk ka asgjë të sigurtë. Për këtë arsye duhet të jemi të përqendruar dhe të shënojmë ne të parët, sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Ze Maria.
 
Bardheblutë kanë fituar ndeshjen e fundit në kampionat me Pogradecin në transfertë, ndërkohë që në mesjavë eliminuan Besën, të cilën e mundën edhe në ndeshjen e kthimit 2-0, pavarësisht se në këtë 90-minutësh u aktivizuan të rinjtë e skuadrës.

Top Channel