Gjermania nuk ka vend, lë jashtë Özil, Götze dhe Khedira

29/09/2017 00:00

Trajneri i kombëtares gjermane të futbollit ka lënë jashtë disa futbollistë të rëndësishëm, për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Botërorin 2018.

Në listën e “Jogit” nuk ka pasur vend për Mesut Özil, Mario Götze dhe Sami Khedira, 3 lojtarë që nuk do të japin dot kontributin e tyre ndaj Irlandës së Veriut dhe Azerbajxhanit, por do të detyrohen të jenë spektatorë nga ekrani i vogël.

Në listë është ndërkohë mbrojtësi shqiptar nga Gostivari, Shkodran Mustafi. Duke shpjeguar logjikën në përzgjedhjen e bërë te “Panzer”-at, trajneri i njohur preferoi të shmangte kritikat.

“Mesut Özil dhe Sami Khedira do të jetë më mirë nëse do të pushojnë gjatë ndërprerjes së kampionateve, për kombëtaret. Kjo është më e rëndësishme për gjendjen e tyre, sesa impenjimi tani. Dua që futbollistët e Gjermanisë të jenë në kushte optimale vitin tjetër dhe jo tani”, tha Joachim Löw.

Mesut Özil është një prej mesfushorëve më krijues në futbollin europian dhe, 15 mundësitë e krijuara për gola në 5 ndeshje këtë sezon dëshmojnë qartë se çfarë roli ka ai te Gjermania.

Por së fundmi, turko-gjermani ka humbur vendin titullar tek Arsenali. “Panzer”-at ende nuk kanë siguruar kualifikimin në Botërorin 2018, por një pikë ndaj Irlandës së Veriut, me të gjitha gjasat do t’i japë vendin e merituar.

Top Channel