FSHF krenohet me besimin e UEFA-s ndaj Shqipërisë

29/09/2017 00:00

Veç impenjimeve ndaj Spanjës dhe Italisë, që e vendosin Kombëtaren kuqezi në vitrinën e futbollit botëror, në muajin tetor, qeveria e futbollit europian i ka besuar Shqipërisë edhe 3 turne të rëndësishëm.

Sipas FSHF-së, besimi që UEFA ka konfirmuar me edicionet e U-17, U-19 dhe turneun e femrave është një vlerësim i madh.

“Muaji tetor është jo vetëm muaji i ndeshjeve të ekipit kombëtar A me Spanjën dhe Italinë. Në Shqipëri do të zhvillohen edhe 6 ndeshjet kualifikuese për Europianin e moshës U-19, ndeshje të cilat UEFA ka vendosur kohë më parë që të luhen në Shqipëri. Nisur edhe nga standardi i suksesshëm i turneve të mëparshëm, UEFA sërish i besoi Shqipërisë që të jetë vend organizator për grupin e 12, ku marrin pjesë skuadrat kombëtare U-19 të Shqipërisë, Ukrainës, Malit të Zi dhe të Norvegjisë. Nga ana e FSHF-së janë marrë të gjitha masat. Ekipet kombëtare të të 4 vendeve pjesëmarrëse në grupin 12 do të akomodohen në Durrës. Skuadra përfaqësuese shqiptare U-19 ka nisur prej ditësh grumbullimin e saj në hotel ‘Tropikal’ për të përgatitur edhe 3 ndeshjet. Po kështu edhe me turnetë e tjerë”, deklaroi Shulku.

Ndeshjet e para do të zhvillohen një herë në 3 ditë, përkatësisht në datat 4, 7 dhe 10 tetor, ndërsa do të mbyllen me turneun U-19 në fundin e muajit. Takimet do të luhen në 3 stadiume, në atë të Kamzës, në Durrës dhe në “Selman Stërmasi”, sipas një kalendari tashmë të publikuar, e të fiksuar e miratuar muaj më parë.

Top Channel