“Borg-McEnroe” shfaqet në Zvicër, Federer në premierën e filmit

29/09/2017 00:00

Roger Federer shfaqet në tapetin e gjelbër të  Festivalit të Filmit në Zvicër për të qenë i pranishëm në premierën e filmit ‘Borg/McEnroe’ dedikuar rivalitetit mes 2 legjendave të tenisit botëror që kulmin e pati me finalen e turneut të Wimbledon në vitin 1980.

Kampioni në Australian Open dhe Wimbledon ishte i shoqëruar në këtë event nga aktori Sverrir Gudnason që portretizon pikërisht Bjorn Borg. Ky i fundit që kishte edhe pseudonimin “Ice Man” ka fituar në karrierën e tij 5 tituj radhazi në Wimbledon dhe 6 tituj në Roland Garros për një numër total prej 11 titujsh Grand Slami për t’u tërhequr nga aktivitetet në moshën 26 vjeçare duke i zhgënjyer shumë admiruesit e tenisit.

“Borg e Mcenroe, janë dy persona të jashtëzakonshëm, kanë qenë fantastikë në botën e tenisit”-tha Federer, fitues i 19 titujve Grand Slami-“u jam mirënjohës për çfarë i dhanë këtij sporti. Më pëlqen të diskutoj me ta, kanë histori të pabesueshme për të treguar pasi bënin një tjetër jetë nga ajo që po bëjmë ne sot”.

Federer shtoi se Borg e McEnroe kishin një ndikim të madh mbi të pasi ata treguan se dy rivalë mund të jenë edhe miq të mirë, ashtu siç po ndodh aktualisht mes zviceranit dhe Rafael Nadal, që u pa edhe gjatë Rod Laver Cup në fundjavën e kaluar.

Top Channel