“Stuhi” te Bayern, shkarkohet Ancelotti

28/09/2017 00:00

Disfata 3-0 në Ligën e Kampioneve ndaj PSG ishte pika e fundit që derdhi gjithçka ishte akumuluar në gotën e kritikave ndaj trajnerit italian Ancelotti.

Dështimi në Europë i kushtoi vendin e punës teknikut të njohur, një vendim që ishte paralajmëruar pas lojës së dobët që bavarezët shfaqën në kampionat dhe menaxhimit të keq që iu bë disa senatorëve të skuadrës më të titulluar gjermane.

Në “Parkun e Princërve” këtë mesjavë askush nuk e mendonte si një shëtitje përballjen me Neymar, Mbappe dhe Cavanin, por mënyra sesi parizienët ekzekutuan Bayernin, nuk u kalua nga tifozët dhe drejtuesit. Loja prej të nënshtruari dhe zgjedhjet e diskutueshme të formacionit me Robben dhe Ribery në pankinë, shtuan furtunën që kulmoi me shkarkimin e trajnerit.

Për herë të parë në karrierën e tij, Carlo Ancelotti u gjend përballë me situata shpërthyese brenda dhomave të zhveshjes, pikërisht në atë aspekt ku ishte krenuar në thuajse çdo skuadër që ka drejtuar në kontinentin e vjetër.

Ajo çfarë gatoi Carleto te Bayern në këto sezone, nuk i pëlqeu tifozerisë as në recetë dhe as në përbërje. Përplasjet e fundit me holandezin Robben iu shtuan krisjeve të mëparshme me Ribery, Lewandowski dhe Tomas Muller. Ancelotti mendoi fillimisht për dorëheqjen, por Bayern e shkarkoi para Krishtlindjeve, një situatë e cila nuk regjistrohej në Bavari që prej 1991.

Trajneri i përkohshëm do të jetë Willy Sagnol, francezi që me Bayern ka luajtur për 9 sezone.

Top Channel