
Zyrtarët në Prishtinë njoftojnë se kreu i shtetit, Hashim Thaçi do të pritet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti amerikan, Michael Pence.
Një zhvillim i tillë konsiderohet si tejet i rëndësishëm nga Presidenca kosovare. Thaçi, siç shpjegohet në faqen “online” të saj, do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin e saj ekonomik dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike.
Por theksi do të vihet në mënyrë të veçantë edhe te përfshirja e Shteteve të Bashkuara në fazën e fundit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërmjetësuesi i bisedimeve është Bashkimi Europian, por Thaçi këmbëngul që edhe Uashingtoni të ketë një rol aktiv në këtë dialog, të cilin e konsideron si mënyrën e vetme për sheshimin e mosmarrëveshjeve.
Presidenti i Kosovës u takua tani vonë në Nju Jork me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në njoftimin e lëshuar nga zyra e Mogherinit me atë rast thuhet se, dy udhëheqësit vazhduan diskutimet për fazën e re të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, e shqyrtuan gjithashtu përparimin e bërë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, e cila do të hyjë në fuqi më 17 tetor, siç është rënë dakord në takimin e tyre të fundit.
Përpara vizitës në SHBA, Thaçi do të pritet në Vatikan nga Papa Françesku, me të cilin do të bisedojë për krijimin e Komisionit mbi të Vërtetën dhe Pajtimin, si dhe procesin e normalizimit Kosovë-Serbi, që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin mes dy shteteve dhe popujve.
Top Channel