Mustafa: PDK “shpëtoi” Vetëvendosjen nga harresa

28/09/2017 00:00

Isa Mustafa ka sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje duke e akuzuar atë se e ka bashkëpunuar fshehurazi me Partinë Demokratike të Kosovës për t’i marrë Komunën e Prishtinës LDK-së në zgjedhjet e 2013.

Mustafa thotë përmes një postimi në Facebook se këto dy parti dhe ato që ai i quan “paterica të PDK-së”, i kapi tmerri i fitores së LDK-së në shumë komuna në zgjedhjet vendore të 2013-s dhe krijuan koalicion të fshehtë.

“U mobilizuan dhe arritën të përmbysin diferencën prej rreth 9000 votave, që unë si kandidat për të parin e Prishtinës kisha para Shpend Ahmetit dhe para të gjithë kandidatëve tjerë”, thotë ai.

Sipas Mustafas, nëse PDK nuk do të përkrahte Vetëvendosjen në këto zgjedhje, kjo Lëvizje vështirë se do të ekzistonte sot.

“Vetëvendosjen do ta mbulonte pluhuri në ndonjë sirtar të lëvizjeve politike. Kadri Veseli e pranoi në një intervistë se ai kishte bashkëpunuar ngushtë me Shpend Ahmetin për një vit pas zgjedhjeve lokale. Kjo përputhet me përgatitjen e 70 dosjeve, sepse kur bashkohet VV, që ua ngjet mikrofonat dhe kamerat e fshehta aktivistëve të tyre për të inskenuar afera me shefin i SHIK-ut, s’pritet zhvillim, as prosperitet veç dosje dhe akuza”, shkruan Mustafa.

Top Channel