Lucia Nadin nderohet nga UT me “Honoris Causa”

28/09/2017 00:00

Studiuesja e njohur veneciane Lucia Nadin është nderuar këtë të enjte nga Universiteti i Tiranës me titullin “Honoris Causa”.

Me motivacionin: “Për punë dhe kontribut të jashtëzakonshëm shkencor në dobi të kulturës dhe historisë së popullit shqiptar dhe forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë”, u shpreh Mynyr Koni, rektor UT.

“Si e huaj, gjithnjë i kam bërë kërkimet e mia me përulësi, një ndjenjë që më ka shoqëruar në çdo punë e kërkim shkencor, në çdo vend ku kam shkuar. Jam kujdesur gjithnjë të shmang gjykimet e mia personale, duke u bazuar në data dhe dokumente të marra nga burime të sakta për t’ua vënë në dispozicion studiuesve shqiptarë. Kam dashur edhe që, për Shqipërinë të punoj si një veneciane, si një zë nga Venecia, qyteti i urave që lidhin ishujt, e me këtë dëshirë kam punuar për të lidhur copëzat e historisë së Shqipërisë si respekt ndaj të vërtetës, një linjë që do ta përdor në të gjitha punët e mia të ardhshme mbi dhe për Shqipërinë”, tha Lucia Nadin, albanologe.

Më herët, Lucia Nadin mbajti edhe një leksion të hapur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në të cilin u vlerësua gjithashtu me certifikatë mirënjohjeje për kontributin e dhënë si lektore e gjuhës italiane për 4 vite pranë këtij fakulteti.

Top Channel