Bayern, Ancelotti rrezikon shkarkimin

28/09/2017 00:00

Paris Saint Germain turpëroi Bayernin teksa e mundi 3-0 në Ligën e Kampioneve, duke bërë që të shtohen tensionet në klubin bavarez.

Kritikat në drejtim të trajnerit Carlo Ancelotti janë shtuar, me italianin që ka filluar të ndjejë se pozitat e tij në pankinë po tronditen. Së fundmi, kundër tij ka dalë edhe Karl-Heinz Rummenigge, i cili gjithnjë e ka mbrojtur.

“Ky nuk është Bayerni i vërtetë. Duhet të analizojmë mirë këtë humbje, të kuptojmë se çfarë nuk funksionoi dhe të vuajmë pasojat”, tha Rummenigge.

Kjo është hera e parë në karrierë që Ancelotti përballet me vështirësi në administrimin e grupit të futbollistëve. Tashmë dihen raportet jo të mira mes tij e Robben, të cilit i janë bashkuar edhe senatorët e tjerë të skuadrës: Ribery, Lewandowski dhe Thomas Muller. Një situatë që e rrit rrezikun e shkarkimit të Ancelottit nga detyra.

Në fakt, në median gjermane po flitet për një lëvizje të tillë të drejtuesve të klubit bavarez. Sipas të përditshmes “Bild”, një prej kandidatëve për të zëvendësuar Ancelottin nëse largimi i tij është i menjëhershëm është Willy Sagnol, ndërkohë që po përmendet edhe emri i Thomas Tuchel, të cilin Rummenigge e ka vlerësuar gjithnjë.

Top Channel