“8 femrat” franceze, pas Korçës shfaqet në Tiranë

28/09/2017 00:00

Ato janë 8 femra të gjendura brenda një shtëpie, pas vrasjes së burrit të vetëm të ndodhur në të. Dyshimi ngrihet mbi të gjitha dhe secila reagon nëpërmjet karakterit të saj, duke përzierë humorin me misterin.

Komedia franceze “8 femrat”, pasi u mirëprit dukshëm në Teatrin e Korçës vjen premierë nga 27 shtatori edhe në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e Driada Dervishit.

“Vepra ka një humor të paparë, që vjen duke u rritur gjatë të gjithë minutave të saj”, thotë Zamira Kita, drejtore e Teatrit të Korçës.

“Është një komedi mister. Për mua është hera e parë që vë një gjini të tillë në skenë. Kjo shfaqje në fakt i dedikohet të gjithë figurës femërore në skenë. Të gjitha aktoreve shqiptare dhe roleve të para të shkruara në dramaturgji për femra, por që janë luajtur nga meshkujt”, tha Driada Dervishi, regjisore.

Kjo shfaqje bën bashkë një grup aktoresh me emër të teatrit shqiptar, si Olta Daku, Rajmonda Bulku e Yllka Mujo. Por edhe aktore të reja, duke sjellë një përzierje emrash.

“Këtu tregohet misteri i kompleksitetit femëror. Ky zbulim bën që ne të njohim femrën në shumë përmasa”, tha Yllka Mujo, aktore.

Ndërsa për të falenderuar pulikun korçar, Olta Daku gjeti mënyrën e saj origjinale.

“Kjo tufa me mikrofonë më kujton buqetat me lule që më erdhën në Korçë. Në fakt, realisht më erdhi vetëm një buqetë”, tha Olta Daku, aktore.

“Buqetën nga mua e kishe zemër”, iu drejtua Zamira Kita, Oltës.

“Vërtet, ah domethënë shoqet e mia nuk sollën gjë?”, reagoi sërish Olta.

“8 femra” është një ftesë e hapur sidomos për publikun e burrave, duke mos dashur të jetë kështu në thelb një shfaqje feministe.

Top Channel