SHBA, gjendet i vdekur mbreti i “fake news”

27/09/2017 00:00

Mbreti i “fake news”, lajmet e rreme në Shtetet e Bashkuara që kanë vënë në shënjestër liderët e vendit, është ndarë nga jeta.

Paul Horner, i bërë i famshëm gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale amerikane për bllofet që u kthyen virale në internet, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Feniks të Arizonës.

Sipas zëdhënësit të zyrës së sherifiti të kontesë Marikopa, Horner ka vdekur më 18 shtator. Për autoritetet nuk bëhet fjalë për një vrasje, pasi sipas tyre 38-vjeçari ka patur një histori të gjatë abuzimesh me ilaçe dhe provat e mbledhura në vendngjarje sugjerojnë se bëhet fjalë për një mbidozë aksidentale.

Mes lajmeve të rreme më të njohura të publikuara nga Horner ishte ai se ish-presidenti Obama ishte homoseksual dhe një mysliman radikal; dhe se manifestuesit që kishin protestuar kundër Trump kishin qenë të paguar.

Fama e tij u zgjerua sidomos gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, aq sa në një intervistë për “Washington Post” më 17 nëntor thoshte i bindur se Trump kishte marrë nën kontroll Shtëpinë e Bardhë vetëm falë tij.

Top Channel