Parisi thyen Bajernin, Chelsea fitore “in extremis” ndaj Atletico Madrid

27/09/2017 00:00

PSG është një prej pretendentëve kryesore për të marrë trofeun e Champions League këtë vit dhe këtë e tregoi më së miri  mbrëmjen e së mërkurës, ku mposhti në stadiumin “Parc des Princes” 3-0 rivalët e Bayern Munich.

Kanë mjaftuar vetëm 2 minuta lojë që Daniel Alves të ndëshkonte bavarezët duke kaluar kështu parisienët në avantazh, e kur pritej reagimi i skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti, Edinson Cavani ka dyfishuar rezultatin për të tijët në të 31’.

2-0 ka përfunduar fraksioni i parë i kësaj “finaleje”, por edhe në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve, gjermanët nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Në krahun tjetër Naymar nuk i ka falur, duke treguar për tifozët se shuma që PSG pagoi këtë verë për të marrë nga Barcelona ia kanë vlejtur në çdo qindarkë, në minutën e 63-të, ai dërgoi topin pas shpinës së portierit të dytë të Bayern Munich, Sven Ulreich.

Po me të njëjtat shifra është mbyllur edhe ndeshja tjetër e grupit B, Anderlecht-Celtic, vetëm se në këtë rast triumfatorët kanë qenë miqtë.

Në grupin C, Chelsea arriti një fitore në limitet e kohës shtesë, kur Batshuayi shënoi golin e fitores për blutë. Spanjollët ishin të parët që kaluan në avantazh, kur Griezmann në të 40-tën realizoi në mënyrë perfekte një 11-metërsh. Por blutë e Londrës nuk u dorëzuan, e në të 60-tën Morata barazoi shifrat në 1-1. 1-2 fitoi në transfertë edhe Roma ndaj Karabakut të Ansi Agollit.

Në grupin D, Barcelona nuk ka pasur shkëlqimin e zakonshëm ndaj Sporting në Portugali, por kanë dalë nga stadiumi “Jose Alvalade” me 3 pikë të plota, pas autogolit të Sebastian Coates që në të 49-tën devijoi topin në portën e tij.

Juventus ka triumfuar 2-0 në shtëpi ndaj grekëve të Olimpiakos, të cilët vetëm pak ditë më parë larguan nga drejtimi i skuadrës shqiptarin Besnik Hasi. Golat për bardhezinjtë u shënuan nga Higuain në të 69-të dhe 11 minuta më pas Mandzukic dyfishoi rezultatin.

Plot 10 gola u shënuan në dy ndeshjet e grupit A, ku Basel shkatërroi 5-0 Benfikën në shtëpi dhe Manchester United që shënoi 4 herë në transfertë kundër rusëve të CSKA së Moskës, duke e mbyllur ndeshjen 1-4.

Top Channel