Palestina anëtarësohet në INTERPOL

27/09/2017 00:00

INTERPOL pranoi si pjesëtar të tij Autoritetin Palestinez, një lëvizje e shumëkundërshtuar nga Izraeli dhe e përshëndetur me forcë nga palestinezët.

“Kjo është një fitore e madhe për diplomacinë tonë, sepse siguron që puna e bërë prej lidershipit palestinez për ta vendosur Palestinën në një platformë botërore e në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, po jep fryte”, tha Omar Awadallah, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme palestineze.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të organizatës ndërkombëtare të policisë, mbajtur në Pekin, jo vetëm siguron – sipas Awadallah, – se Palestina është një shtet, por tregon gjithashtu se është një shtet i përgjegjshëm, se ka polici dhe aparat sigurimi që mund të përmbushin angazhimet e tyre, e një sistem gjyqësor që i çon kriminelët prapa hekurave.

Në një mesazh të INTERPOL-it në “Twitter” thuhej qartë se, Palestina dhe ishujt Solomon janë tashmë pjesë e tij.

Ministria e Jashtme izraelite e kishte pohuar më herët se përpjekjet e shtetit hebre për ta shtyrë votimin deri vitin e ardhshëm kishin dështuar. Izraeli këmbëngulte se Palestina nuk është shtet, ndaj dhe nuk ka sesi kualifikohet për anëtarësim në INTERPOL.

Marrëveshjet e përkohshme izraelito-palestineze i lejojnë Autoritetit Palestinez vetëqeverisje të kufizuar në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Top Channel