Man. City kërkon përforcime. Mendy, 9 muaj jashtë

27/09/2017 00:00

Dëmtimi në gju i futbollistit Mendy, në ndeshjen me Crystal Palace, duket se do të rezultojë më i rëndë nga sa u mendua.

Futbollisti që u pa të mbahej te patericat në stadium, në ndeshjen e Champions League mes Manchester City dhe Shakhtar Donetsk, ka shumë të ngjarë që të ketë një këputje të ligamenteve në gjurin e djathtë dhe, sipas medias britanike, mendohet që të qëndrojë jashtë fushave të lojës 9 muaj, duke i hapur probleme Guardiolës.

Trajneri katalanas nuk ka një zëvendësues natyral të Mendyt, edhe pse në vendin e tij mund të luajnë Danilo, Zinchenko apo Delph. Kështu, ai po mendon që t’i kërkojë klubit të ndërhyjë në merkaton e muajit janar.

Në Europë, merkatoja e futbollistëve hapet më 1 janar dhe mbyllet më 31 janar, por kjo për Premier League do të jetë e fundit që zhvillohet në të njëjtat kushte si kampionatet e tjera të kontinentit.

Kjo për faktin se, në verën e vitit 2018, klubet e kampionatit anglez do të jenë të detyruara që të plotësojnë skuadrat e tyre për sezonin e ardhshëm deri më 9 gusht, pak ditë përpara fillimit të kampionatit.

Për më tepër, Manchester City përballet edhe me disa kufizime në këtë aspekt, pasi mund të federojë 3 futbollistë dhe vetëm një prej tyre mund të luajë në kompeticionet europiane të këtij sezoni, gjithnjë nëse ai nuk është aktivizuar më parë në fazën e grupeve të Champions League.

Top Channel