Vllaznia U-19 zhgënjen ndaj moldavëve të Zimbru

26/09/2017 00:00

Skuadra e Vllaznisë U-19 ka dështuar të marrë rezultat pozitiv në takimin e parë ndaj moldavëve të Zimbru, të vlefshëm për gjysmëfinalet e Play off të UEFA Youth League, ose siç quhet ndryshe, Champions League për të rinjtë. Ekipi i drejtuar nga Luan Zmijani u mposht me rezultatin 3-1, duke ulur ndjeshëm shanset për kualifikim, në ndeshjen e kthimit.

Moldavët kaluan në avantazh në minutën e 23-të dhe në minutat 77 e 80, shënuan dy gola të tjerë, ndërsa shkodranët ngushtuan diferencën me një penallti të ekzekutuar nga sulmuesi kryesor Pusi, katër minuta nga fundi i ndeshjes. Krahas rezultatit, ekipi vendas dominoi edhe me kontrollin e topit dhe statistikat e tjera të ndeshjes.

Kualifikimi i Vllaznisë U-19 në këtë fazë të Champions League, ishte një rezultat historik për futbollin e moshave në Shqipëri dhe shorti përballë një kundërshtari modest rriti shanset për kalimin në fazën finale, por ndeshja e parë nuk shkoi aspak ashtu siç pritej. Ndeshja e kthimit do të luhet më 18 tetor, ora 15:00, në Shkodër, ku ekipit të Zmijanit do t’i duhet një mrekulli për të kaluar në finale.

Top Channel