Shqiptarja “idol” e Suedisë

26/09/2017 00:00

Erika Bitanji, vajza nga Shkodra ka kohë që ka rënë në sy për talentin e saj në muzikë e kërcim në “Swedish Idol” dhe kjo e ka çuar në netët “live” të “talent show”-t.

Që prej audicioneve të para e deri më sot, tek ajo mbizotëron energjia në interpretim së bashku me zërin e mirë, që e kanë bërë Erikën të jetë një nga pretendentet kryesore për finale.

“Të premten duhet të këndoj “Bang Bang”, të Jessie J dhe Ariana Grande”, thotë Erika.

Pas nëntë vitesh investim në balet, nga Athina, Erika vendosi të ndjekë një tjetër pasion të sajin në Suedi, muzikën. Edhe pse askush nuk e kishte mësuar më herët, ajo e ndiente që do ia dilte.

“Unë kam kërcyer gjithë jetën, që kur kam qenë 6 vjeç. Tani e kam ndërprerë sepse kam filluar me muzikën. Me thenë të drejtën këtu vetëm këndojnë, nuk dinë të kërcejnë. Prandaj më shohin si konkurrente, por me thënë të drejtën të gjithë janë shumë të mirë në dymbëshjetëshe”, shpjegon Erika.

Nuk e di nëse mund të jetë fituesja sepse e ndjen që ka konkurrencë të vështirë. Por, mesazhet e shumta të urimit nga publiku shqiptar që e ndjek me kuriozitet e shtyjnë më shumë të japë maksimunin e saj.

“Unë dua të them vetëm faleminderit që më kanë votuar dhe më kanë shkruar për sukseset”, shprehet Erika.

Top Channel