
Xhirimet e një skene filmi, që do të pasojë suksesin e vitit 2008 të “Mamma Mia”, nisën në Kroaci në fillim të këtij muaji.
Filmi, në të cilin luajnë Meryl Streep, Amanda Seyfried, Pierce Brosnan, Colin Firth, e që drejtohet nga Ol Parker, po xhirohet në disa zona të ishullit piktoresk Vis në Adriatik. Ai do të prezantohet në fakt si ishulli imagjinar grek Kolakairi, ku filmi origjinal është vendosur.
Edhe pse yjet e mëdha ende nuk janë parë atje, ishulli me një popullatë prej vetëm 3.600 banorësh është pushtuar nga dhjetëra kamionë me pajisje xhirimi dhe setet janë ngritur ngado, duke argëtuar turistët e mbetur nga sezoni i verës.
Zyrtarët lokalë thonë se filmi është një mundësi e mirë për të promovuar ishullin, kjo sepse Vis është një nga ishujt më të largët të Adriatikut, e ndryshe nga pjesë të tjera të brigjeve kroate ka qenë i mbyllur për vizitorët për dekada të tëra, si pasojë e rëndësisë strategjike të tij.
Deri në vitet 1980, Marina jugosllave kishte ndërtuar atje kilometra tunele dhe bunkerë, duke u frikësuar nga një pushtim i mundshëm i Italisë, gjurmë të të cilëve mund të shihen ende. Ishulli u hap për të huajt vetëm në vitin 1998.
Për shkak të vonesës në zhvillimin e kapaciteteve turistike, ai është një nga të paktët ishuj kroatë, që nuk është tejmbushur ende me hotele apo shtëpi pushimesh, një faktor që mund të ketë shtyrë producentët e filmit ta zgjedhin atë, si një zëvendësues të ishullit grek.
Pavarësisht entuziastëve, ka edhe nga ata që duken spektikë për efektet që turizmi masiv mund të ketë në infrastrukturën e kufizuar të ishullit, që mund të nxitet nga filmi që do të xhirohet atje. Sidoqoftë, një bekim apo mallkim për ishullin, një gjë është e sigurtë. Pamjet e Vis do të shihen nga miliona njerëz anembanë botës dhe do të jenë me miliona, ata që do të ëndërronin të arratiseshin në skenat idilike të muzikalit romantik të frymëzuar nga “ABBA”-t, e që pritet të shfaqet nëpër kinema në korrik të vitit 2018.
Top Channel