Arabia Saudite lejon femrat në timon

26/09/2017 00:00

Mbreti Salman i Arabisë Saudite nxori një dekret, përmes të cilit lejon femrat që të ngasin makinën për herë të parë në historinë e vendit.

Sipas medieve vendase, ministritë do të përgatisin një raport për këtë çështje brenda 30 ditësh dhe urdhri i mbretit do të implementohet deri në qershor të vitit 2018.

Arabia Saudite është vendi i vetëm në botë që nul lejon femrat të ngasin makinën. Grupet për të drejtat e njeriut janë përpjekur prej vitesh, që femrat të lejohen të ngasin makinën në mbretërinë ultrakonservatore, e disa femra janë burgosur pasi kanë shkelur rregullin.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Arabinë Saudite njoftoi se dekreti mbretëror bën të mundur krijimin e rregulloreve të reja, përfshirë dhënien e patentave për femrat.

Vendimi saudit u përshëndet nga Departamenti amerikan i Shtetit, si një hap në drejtimin e duhur. Në dekretin mbretëror shkruhet se, vendimi për t’iu dhënë patenta femrave do të bëhet duke respektuar standardet e Sharias, por pa dhënë detaje.

Mediet saudite raportuan se shumica e anëtarëve të Këshillit të studiuesve fetarë veteranë mbështeti idenë e mbretit.

Top Channel