Rizgjidhet Merkel me më pak vota. Nacionalistët, të tretët

25/09/2017 00:00

Angela Merkel e pranoi se do të kishte preferuar një “rezultat pak më të mirë” sesa 33,2 përqindëshi i arritur në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Gjermani.

Ajo e siguroi një mandat të katërt qeverisës, por për bllokun e vet konservator CDU/CSU ky ishte rezultati më i keq në pothuajse 70 vjet, ndonëse vazhdon të mbetet forcë e parë në Parlament. Por, Merkel sërish nuk shprehet e zhgënjyer. Në fund të fundit, krijimi i koalicionit të ardhshëm qeverisës i takon CDU-së.

Pas kaq vitesh në pushtet, siç e pohoi edhe vetë, një rezultat si ky nuk ishte i papritur. Sigurisht, do të nevojitet një analizë e thellë e votës për të parë arsyet e rrjedhjes drejt AFD-së, ama konservatorët kanë një mandat për të çuar deri në fund. Përpara mbështetësve megjithatë, e pranoi se vështirësitë në krijimin e ekzekutivit nuk kanë për të munguar.

“Javët në vazhdim nuk kanë për të qenë të lehta, por CDU dhe CSU janë parti që marrin përgjegjësi për vendin, për programin dhe për atë që është me rëndësi për popullin. Duke ecur me këtë frymë do t’ia dalim mbanë në ditët që do të vijnë, për këtë jam e bindur”, tha Merkel.
 
Alternativa për Gjermaninë kapërceu deri edhe parashikimet me marrjen e 13% të votave, që e çuan për herë të parë Partinë Nacionaliste Antiislamit në Bundestag, ku duket se do të jetë forca e tretë më e madhe. Një zhvillim i tillë ngjalli menjëherë protesta. Dhjetëra vetë u mblodhën përpara selisë së saj në Berlin me pankarta në duar, ku shkruhej “Ne i duam refugjatët”. Protesta pati edhe në Frankfurt e Këln.

Vëmendja tani spostohet tek koalicioni që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Vazhdimi i atij me bazë të gjerë me socialdemokratët nuk ka gjasa. SDP-së nuk i pëlqen më roli i të voglit dhe preferon rigjenerimin në opozitë. Varianti më serioz mbetet ai i formimit për të parën herë në historinë e Gjermanisë i një koalicioni prej tre partish: CDU/CSU, Liberalet (FDP) dhe aleanca e ekologjistëve, Të Gjelbrit.

Ky është një terren i ri politik, ndaj bisedimet pritet të jenë të vështira e të zgjasin shumë.

Top Channel