Paradoksi Josep Martinez; jep siguri, por Interi në verë do të blejë një portier të ri…
Tensionet mes lojtarëve të “National Football League” (NFL) dhe presidentit amerikan Donald Trump janë rritur edhe më shumë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u kërkoi të gjithë tifozëve të bojkotojnë skuadrat që nuk disiplinojnë ata që protestojnë.
Shumë prej lojtarëve të NFL-së u ulën në gjunjë në momentin e ekzekutimit të himnit amerikan, ndërsa të tjerë preferuan ta dëgjojnë atë duke lidhur krahët me njëri-tjetrin, si për të formuar një zinxhir njerëzor.
Por skuadra e Pittsburgh Steelers, që kishte një përballje me Chicago Bears, shkoi edhe më tej: lojtarët e kësaj skuadre nuk hynë fare në fushën e lojës në momentin e ekzekutimit të himnit, me përjashtim të njërit.
Fakti më interesant ishte ai në Philadelphia, ku agjentët e policisë u rreshtuan përkrah lojtarëve të skuadrës “Eagles” dhe pronarit të saj, Jeffrey Luri, gjatë himnit amerikan në shenjë solidariteti.
E gjithë kjo protestë e NFL-së erdhi pas fjalimit të Trump në një takim në Alabama, ku nuk nguroi të lëshojë fjalë të rënda fyese kundrejt lojtarëve që protestojnë, duke kërkuar edhe përjashtimin e tyre nga skuadra.
Kjo formë proteste e NFL-së nisi të aplikohej në vitin 2016, kur “quarterback”-u i San Francisco 49ers, Colin Kaepernick mbështeti një gju në tokë gjatë ekzekutimit të himnit, në shenjë proteste kundër vrasjes së afro-amerikanëve nga policia, një gjest që më pas u përdor edhe nga disa lojtarë të tjerë.
Top Channel