Kushner, si Clinton. Ka përdorur “e-mail”-in privat

25/09/2017 00:00

Përdorimi i “e-mail”-it privat gjatë kohës kur shërbente si Sekretare Shteti ishte një nga arsyet e kryqëzimit të Hillary Clintonit nga Donald Trump gjatë fushatës elektorale, por së fundi edhe vet dhëndri i tij, Jared Kushner ka bërë të njëjtën gjë në Shtëpinë e Bardhë.

36-vjeçari, i martuar me vajzën e manjatit, Ivanka, është aktualisht këshilltar i lartë i presidentit. Vet avokati i tij e konfirmoi ekzistencën dhe përdorimin e adresës private të postës elektronike, përmes së cilës Kushner ka shkëmbyer qindra mesazhe me zyrtarë të tjerë të administratës amerikane, mbi çështje që përfshinin mbulimin mediatik dhe planifikimin e shfaqjeve.

Sipas “Politico”-s, e para që e përcolli lajmin, nuk ka për çdo rast të dhëna se nga adresa e tij private, Kushner ka ndarë informacione të klasifikuara apo të privilegjuara. Gjatë fushatës, Trump e shënjestroi vazhdimisht Clintonin për faktin se kishte përdorur “e-mail”-in privat kur ishte në krye të Departamentit të Shtetit dhe në mënyrë të përsëritur i inkurajonte turmat e simpatizantëve të thërrisnin “Prapa hekurave”.

Miliarderi u zotua asokohe ta burgoste rivalen demokrate, mes shqetësimeve se mund të kishte nxjerrë informacione sekrete, por një hetim mbi çështjen e shumëdebatuar u mbyll pa ngritjen e ndonjë aktpadie. Rregullat federale në Shtetet e Bashkuara e theksojnë qartë sesi duhet të ruhen të dhënat që lidhen me presidentin, apo çdo lloj aktiviteti qeveritar.

Top Channel