
Dyshja më e famshme e modës italiane, “Dolce & Gabbana” luajtën kartën e tyre të fortë në koleksionin “Pranverë-Verë 2018”, të prezantuar në Milano, me temë qëndrore të preferuarën e tyre: mbretëreshën e zemrave.
Me fustane rrëzëllitëse, të mbushura plot qëndisma e temina, trëndafila të kuq në flokë dhe kurora që nuk të linin dot indiferent, monarkja e “D&G” zbriti në pasarelë në të gjitha ngjyrat, format dhe pëlhurat.
Spektakli u çel me modele të veshura në të zeza, në sfondin e një letre gjigante me një zemër të madhe të kuqe në mes. Por, ai shumë shpejt i dha udhë vërshimit të ngjyrave, përfshirë atë të florinjtë, luleve, gurëve të çmuar e dantellave, duke mos lënë pa prekur edhe elementë që lidhen me Siçilinë, traditat e saj, kulturën dhe ushqimin.
Bizelet nuk janë dukur kurrë më bukur sesa në fustanin e prezantuar bashkë me një çantë të mbushur me jeshillëqe, shoqëruar nga bizhe të rënda, por mbresëlënëse. Kishte edhe vathë në formë patëllxhanësh e kapela-karrotë. Për të mos harruar pastaj të shijshmet “Canoli”.
“Dashuria është bukuri” shkruhej në një “t-shirt” të kombinuar me një fund të frymëzuar nga stili i Andy Ëarhol. Por ishte thjeshtësia, ajo që triumfoi në fundin e spektaklit, kur modelet zbritën në pasarelë vetëm me të brendshme në ngjyrë të zezë, si për të dëshmuar rëndësinë e dashurisë mbi zotërimin.
Top Channel