Ekspozitë me koleksionin e vulave shtetërore të Arkivës së Shtetit

25/09/2017 00:00

Përveç koleksionistëve, që ruajnë me fanatizëm vulat institucionale të hershme të shtetit shqiptar, sot është e pamundur t’i gjesh ato në qarkullim.

Në Muzeun Historik Kombëtar, që prej së hënës është hapur ekspozita me 71 vula të prezantuara, që janë pjesë e fondit “Koleksion vulash”. Të gjitha këto kanë qenë funksionale në kohën e tyre, ndërsa sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.

“Kjo ekspozitë merr një rëndësi të veçantë në kuadër të asaj që quhet historia institucionale e shtetit shqiptar. Ne si historianë jemi mësuar shumë herë që të flasim për historinë politike, historinë ekonomike, atë sociale të Shqipërisë, por një pjesë e rëndësishme është edhe historia e administratës së shtetit”, tha Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Ekspozita është konceptuar në disa vitrina. Vulat janë ndarë sipas rendit kronologjik dhe tematik, në alternim me njëra-tjetrën. Vula të institucioneve fillestare të shtetit, vula të viteve të Shqipërisë mbretërore, vula të periudhës së pushtimit fashist, si dhe vula të periudhës 1944-1976.

“Ekspozita e parë e këtij lloji ka të bëjë me vulat e administratës shtetërore, pikërisht sepse ky është një fond i cili nuk do të gjenerohet më. Legjislacioni ka ndryshuar prej viteve ’70 dhe vulat nuk ekzistojnë më. Vulat, në fund të përdorimit të tyre asgjësohen nëpër institucione”, tha Ardit Bido, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror.

Së fundmi, të dy drejtuesit e institucioneve që lidhen ngushtë me kujtesën tonë kombëtare, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të ardhmen.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta