Flamurtari mposht Teutën dhe merr vendin e tretë

24/09/2017 00:00

Java e tretë e Superiores ka ulur siparin me ndeshjen Teuta-Flamurtari, e fituar nga vlonjatët me rezultatin 1-2.

Ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro gjeti golin e avantazhit që në minutën e tretë, me anë të kapitenit Bushiç, i cili shfrytëzoi më së miri një top të ardhur në zonë nga krahu i djathtë. Në minutën e 37, është sërish sulmuesi kroat që shënon golin e dytë dhe gjithçka për vlonjatët bëhet më e lehtë.

Në pjesën e dytë iniciativa i takon Teutës, që kërkon të shënojë, ndërsa vlonjatët mbrohen me kujdes dhe kundërsulmojnë rrezikshëm.

Në minutën e 74, gjyqtari kryesor, i sinjalizuar edhe nga anësori, gabon duke vërshëllyer një 11 metërsh për Teutën, ndërsa faulli i mbrojtësit durrsak ishte bërë dukshëm jashtë zone. Penalltia ekzekutohet nga Lena, por topi u grushtua nga portieri Nurkoviç dhe më pas ishte Hila që e shtyu në rrjetë dhe rihapi takimin.

Në minutat e mbetura Teuta bëri gjithçka për të barazuar, por fati dhe portieri Nurkoviç nuk lejuan që të shënonin. Pas javës së tretë, Teuta lëshon kreun e renditjes, ndërsa Flamurtari pozicionohet në vendin e tretë, me pikë të barabarta me durrsakët.

Top Channel