Dybala, 10 gola në 6 ndeshje të Serie A

24/09/2017 00:00

Argjentinasi Paulo Dybala ishte mes futbollistëve më të mirë në fushë, në derbin ku Juventus imponoi rrugën e saj ndaj Torinos, një 90-minutësh që i dha “Zonjës së vjetër” 3 pikë, por rikonfirmoi veç forcës së grupit edhe kualitetet në veçanti.

Me dy golat ndaj skuadrës granata, mesfushori-sulmuesi i kampionëve të Italisë shkon tani në kuotën e 10 golave në 6 ndeshjet e para, duke provuar të rishkruajë historinë e futbollit italian.

Paulo Dybala ka bërë më mirë sesa versioni legjendar i Higuainit kur ishte te Napoli, e më shumë se çdo superlojtar që ka qenë në Serie A në 6 dekadat e fundit. Për të gjetur dikë që ka të njëjtat numra mbresëlënës si argjentinasi, në 6 javët e para, duhet të kthehemi pas në kohë me thuajse 60 vite.

Në sezonin 1958-59, sulmuesi, që për koinçidencë ishte argjentinas dhe militonte me Interin, Antonio Angelillo shënoi 13 gola në 6 ndeshje, duke mbyllur më pas sezonin me 33 gola gjithsej.

Në kampionatet e tjera, Lukaku ka shënuar 6 herë me Manchester United, të njëjtën shifër si Aguero te City, ndërsa Lewandowski ka shënuar 7 gola në Bundesliga. Matematikisht, mesatarja e Dybala tregon që mund të arrijë 60 gola në sezon, shifër absolutisht e pamundur. Por fakt mbetet që argjentinasi i Juves do të jetë kandidat kryesor për “Këpucën e artë”.

Top Channel