Botërori i çiklizmit, provë pozitive për shqiptarët

24/09/2017 00:00

Botërori i çiklizmit në Bergen të Norvegjisë regjistroi pjesëmarrjen modeste, por domethënëse të kombëtares shqiptare të dyrrotakëve që edhe pse pa shumë pretendime në lojën ekipore, ia doli të jetë protagoniste në jo pak pjesë të cirkuitit.

Profesionisti i Vilier Triestinës në Itali, Eugert Zhupa dhe talenti tjetër shqiptar Redi Halilaj ishin ata që mbajtën lart flamurin kuqezi në turneun prestigjioz në vendin nordik.

Botërori nisi në 17 Shtator në Bergen dhe përfundoi mbrëmjen e kësaj të diele me çmimet përkatëse në disa kategori, që nga çiklistët junior deri në kategorinë “elite” me gara në kronometër dhe ato në linjë. Zhupa dhe Halilaj përfunduan pa sukses garën e kronometrit duke mbetur jashtë 50 më të mirëve ndërsa në podium u ngjit holandezi Tom Dumoulin. Ndërkohë finalja e madhe ishte prova në asfalt e meshkujve me 267.5 kilometra me nisjen që u bë nga qyteza e Rong, e më pas në Straume me finishin në Bergen.

Me numrin 196 mbi shpinë dhe flamurin shqiptar, Eugert Zhupa spikati në kilometra të tërë, fillimisht duke u bërë pjesë e grupit të arratisë me 9 ciklistë që u distancuan thuajse 4 minuta nga “pelotoni” ndjekës. Më pas ai rivalizoi sërish në grup por nuk u ngjit dot në podium.

Gara u fitua nga sllovaku Peter Sagan në një sprint fantastik që la pas Aleksandër Kristof.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel