Skënderbeu-Partizani, sfidë me aromë titulli në Superiore

22/09/2017 00:00

Skënderbeu dhe Partizani e kanë nisur në mënyra të ndryshme kampionatin shqiptar të futbollit, por si korçarët, ashtu edhe kryeqytetasit kanë besim se mund të fitojnë titullin, në fundin e një sezoni të gjatë.

Trajneri i vendasve, Ilir Daja beson se rezultati i së shtunës nuk mund të parashikohet.

“Të treja rezultatet janë të mundshme, sepse përballë kemi një nga rivalët në luftën për titull. Fitorja e nesërme nuk ka vlerën e 3-pikëshit, por përveç bonusit në aspektin psikologjik, marrja e fitores karshi një rivali direkt do të thotë edhe 3 pikë të munguara për kundërshtarin”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Katër pikë në dy ndeshje janë një bilanc i mirë për Skënderbeun, ndërsa “demat e kuq” kanë vetëm 1 pikë në renditje.

“Nuk duhet të mendojmë për fillimin jo të mirë që ka bërë kundërshtari, sepse kjo mund t’i ndodhë çdo ekipi”, theksoi më tej Daja në konferencën për shtyp.

Trajneri i Partizanit, Mark Iuliano refuzoi ta cilësonte një problem shënimin e golave, edhe pse shifra zero në klasifikimin e finalizimeve është një barrë e rëndë.

“Problemi i golit nuk ekziston, pasi do të ishte i tillë vetëm nëse nuk do të krijoheshin raste. Natyrisht po punojmë shumë edhe nga pikëpamja e gjuajtjeve në portë. Mendoj se, herët apo vonë goli do të vijë. Ndeshja me Skënderbeun vlen shumë nga pikëpamja e 3 pikëve dhe nga morali, i jep rëndësi punës që po bëjnë lojtarët. Skënderbeun e kemi studiuar shumë mirë dhe është skuadra që po përfaqëson Shqipërinë në Europë, po e bën mjaft mirë. Duhet të jemi krenarë që kemi një skuadër shqiptare në grupet e Europa League. Por përtej kësaj duhej të mendojmë për veten, të përballojmë këtë ndeshje me armët tona”, tha Mark Iuliano, trajner i Partizanit.

Partizanit iu shtua në organikë edhe shqiptaro-maqedonasi Jasir Asani, sulmues i cili firmosi për 4 vite me ekipin kryeqytetas.

Top Channel