
Udhëheqësi i kurdëve irakianë, Masoud Barzani do të prekë limitet duke sfiduar kundërshtitë globale, për t’i çuar kurdët drejt një referendumi historik, i cili – siç thotë ai, – do t’i japë fund rolit të qeverisë rajonale në një Irak të copëtuar e sektar, si dhe do t’i hapë rrugën pavarësisë.
Duke folur pak ditë përpara votimit, që pritet të mbahet të hënën, Barzani tha se shumica e komunitetit global e ka nënvlerësuar vendosmërinë e kurdëve. E siç pretendon ai, bota i ka bërë keq llogaritë kur ka besuar se, qëllimi i tij për mbajtjen e referendumit ishte një “kartë presioni” për të përfituar tolerime, në vend që ta konsideronin si hapin e parë drejt objektivit disadekadësh për sovranitet.
“Që prej Luftës së Parë Botërore e deri më sot, ne nuk kemi qenë pjesë e Irakut, – u shpreh ai për “The Guardian”. – Ky është një shtet teokratik dhe sektar. Ne kemi gjeografinë tonë, tokën dhe kulturën tonë. Kemi edhe gjuhën tonë. Ndaj refuzojmë të qëndrojmë të nënshtruar”, tha më tej ai.
“Parlamenti në Bagdad nuk është një parlament federal. Ai është një parlament shovinist dhe sektar. Besimi ka zbritur nën zero kundrejt Bagdadit”, tha Barzani, nga pallati i tij presidencial mbi Erbil, qytet i rrënuar pak kilometra larg Mosulit, si dhe në udhëkryqin e kufijve me Iranin në lindje dhe Sirinë e Turqinë në perëndim.
Edhe kundërpërgjigjja e ardhur nga Bagdadi, më në jug të vendit, ka qenë thuajse njësoj “i dhunshëm”, duke parashikuar dhunë nëse referendumi do të zhvillohet vërtet. Madje kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi ka thënë se, nëse kjo ndodh, ajo që do të pasojë është një ndërhyrje ushtarake.
Barzani ka udhëhequr kurdët e Irakut për 12 vite, me dy të fundit si president “de facto” i rajonit gjysmëautonom të Kurdistanit, në veri të Irakut. Barra dhe kauza e tij, një revolucionar përgjatë jetës, tashmë i kthyer në një burrë shteti, ka qenë transformimi i aspiratave në sovranitet.
Të radhitur kundër tij, të paktën për momentin, është pjesa tjetër e Irakut, janë Shtetet e Bashkuara, Irani, Turqia, Arabia Saudite, Britania e Madhe, Franca, Bashkimi Europian dhe Liga Arabe. Pro tij është vetëm Izraeli, edhe pse ai mund të vazhdonte me synimet e tij edhe pa këtë mbështetje.
Top Channel