Juve fiton “titullin” e bilancit

22/09/2017 00:00

Këshilli administrativ i Juventusit, i mbledhur këtë fundjavë në Torino, aprovoi nën drejtimin e presidentit Andrea Agnelli edhe bilancin e klubit kampion të futbollit italian.

Rezultatet ishin mëse të kënaqshme dhe rikonfirmuan shëndetin e mirë financiar të “Zonjës së vjetër”, me përmirësime të dukshme dhe miliona të shtuara në llogari.

Tashmë plusvalenca arriti në 42.6 milionë euro, gjë që përfaqëson një rritje prej 38 milionësh krahasuar me të mëparshmin, si dhe rezultatin më të mirë në historinë e bardhezinjve. Ndërkohë, në totalin e faturimeve, sipas medieve italiane, Juventusi ndalet në kuotën e 562 milionë eurove, një kuotë e denjë për klubet më të mira të kontinentit të vjetër, e gjithashtu një përmirësim krahasuar me të kaluarën.

Drejtuesit e skuadrës torineze kishin paralajmëruar një “boom” ekonomik, si asnjë ekip tjetër në Serie A, por Këshilli administrativ vendosi të zezën mbi të bardhë, ndërsa bie në sy gjithashtu edhe rritja e faturës së pagave. Veç bilancit u miratua edhe Asambleja e aksionerëve më 24 tetor, që do të mbahet në “Allianz Arena”.

Top Channel