De Biasi kthehet në Spanjë

22/09/2017 00:00

Pas 10 vitesh, Gianni De Biasi kthehet në Spanjë. Ish-trajneri i kombëtares shqiptare është zgjedhja e skuadrës së Deportivo Alaves si pasuesi i Luis Zubeldias në pankinë.

Klubi bardhekaltër kishte nisur prej ditësh bsedimet me teknikun 61-vjeçar, i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe Levanten në Ligën Spanjolle. De Biasi ka një eksperiencë të madhe në botën e futbollit dhe në 2016 bëri mrekullinë, teksa drejtoi Shqipërinë drejt fazës finale të Evropianit të Francës për herë të parë në histori. 

Fillimisht, De Biasi do të firmosë me klubin spanjoll një kontratë deri në fund të këtij sezoni, me opsion rinovimin e saj edhe për atë pasardhës. Fati do që aventura e parë e De Biasit në stolin e Alaves të jetë sfida me Realin e Madridit në stadiumin “Mendisorrosa”.

Fillimi i sezonit është katastrofik për Alaves, pasi në 5 javët e para ka pësuar po kaq humbje dhe De Biasit i duhet të bëjë një tjetër mrekulli dhe të sigurojë mbijetesën në La Liga të kësaj skuadre.

Top Channel