Lojërat Dimërore 2018, prezantohen medaljet e eventit

21/09/2017 00:00

Nju Jorku është vendi ku Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae prezantoi medaljet që do t’u jepen sportistëve gjatë Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në Pyongchang, në fillim të vitit të ardhshëm.

Ceremonia u mbajt në Muzeun e arteve Metropolitan.

Në njërën anë të këtyre medaljeve është i gdhendur simboli i Lojërave Olimpike, ndërsa në anën tjetër janë gdhendur 2 bashkëtingëllore të alfabetit Hangul, që në gjuhën koreane përkthehen “Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang”. Në të njëtjën anë me shkronjat koreane lexohet edhe emri i disiplinave sportive që janë në programin olimpik të këtyre lojërave.
 
Çdo medalje e ka diametrin 92.6 mm dhe ka një trashësi prej 6.91 mm. Përsa i përket peshës, medalja e artë është 586 gramë, e argjendta 580 gramë, ndërsa medalja e bronztë është 493 gramë. Koreja e Jugut ka organizar edhe një tjetër event olimpik, Lojërat e Seulit në vitin 1988. Në atë kohë, Komiteti Organizativ prezantoi medalje që kishin një dizajn që përdorej që nga Lojërat Olimpike të vitit 1928 në Amsterdam.

Në Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut do të garohet në 102 evente sportive dhe do të jepen 222 medalje për fituesit. Në të njëjtën kohë janë rezervuar edhe 5 sete medaljesh që do të përdoren nëse do të ketë barazime rezultatesh.

Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut do të zhvillohen në periudhën 9-25 shkurt të vitit 2018.

Top Channel