Rikonstruksioni i TKOB, Kumbaro inspekton punimet

20/09/2017 00:00

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka inspektuar këtë të mërkurë punimet që po kryhen në zbatimin e projektit për rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Punimet kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik  me shoqërinë italaine, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore”, tha ministrja.

Kumbaro theksoi se me zbatimin e projektit mjediset e reja të TKOB do të kenë sipërfaqe shtesë për artistët dhe administratën.

“Nga punimet e kryera dhe në zbatim të projektit kemi përfitim të sipërfaqes shtesë, përfitim të skenës dhe pjesës së publikut, por edhe dyfishim të hapësirës së gropës së orkestrës. Pjesa më e rëndësishme që shkon drejtpërdrejtë në interes të artistëve është fakti që kemi shtesë të hapësirave të  sipërfaqeve të shërbimeve të artistëve dhe administratës të TKOB”, deklaroi ministrja e Kulturës.

Sipas ecurisë së deritanishme të punimeve nuk parashikohet shtyrje e përfundimit të projektit, i cili parashikon se TKOB do të jetë një teatër tërësisht i transformuar dhe modern brenda vitit 2019.

Top Channel