
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini u takua në Nju Jork me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Njoftimi i lëshuar prej zyrës së saj shpjegon se, në këtë takim kanë vazhduar diskutimet mbi periudhën e re të bisedimeve të ndërmjetësuara nga blloku europian, lidhur me normalizimin e plotë të marrëdhënieve dypalëshe.
Ai vjen në vazhdën e takimeve të mbajtura në korrik e gusht, ku u rishikua përparimi i arritur në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, që ka të bëjë me gjykatat në veriun e Kosovës, e cila duhet të zbatohet më 17 tetor.
Mogheirri e ka përshëndetur përkushtimin e të dy udhëheqësve për normalizimin e marrëdhënieve të vështira Prishtinë-Beograd dhe e theksoi edhe njëherë se, avancimi i tyre drejt integrimit është i lidhur ngushtë me përparimin në bisedime.
Në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, u pajtuan për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.
Presidenti serb kërkon që në muajin tetor të nisë në Serbi një dialog i brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, një prej kritereve kyçe të aderimit të vendit në BE. Mbi dy vite më parë, Vuçiç i tha të përditshmes “The Wall Street Journal” se, “ishte duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.
Top Channel