“Moto GP”, në Aragon luhet titulli

19/09/2017 00:00

Këtë fundjavë, të apasionuarit pas garave me motorë do të përjetojnë një tjetër ndalesë emocionuese të klasit “mbretëror”, me Çmimin e Madh në Aragon, që do të vendosë shumë për titullin dhe hierarkinë.

Kur duhen ende 5 gara nga fundi i sezonit, klasifikimi tregon Marquezin e Dovizioson me të njëjtin ritëm, në vendin e parë dhe secili me 199 pikë, ndërsa i treti është Maverick Viñales, me 16 pikë më pak nga kreu.

Gjithçka është e hapur dhe mes 3 protagonistëve mund të përmbysen situatat, pasi janë ende 125 pikë në dispozicion. Në mënyrë surprizë, në Aragon mund të jetë edhe Valentino Rossi. “Doktori” i “Moto GP” ka tejkaluar parashikimet dhe ka dalë në pistë 3 javë pas dëmtimit dhe operacionit në këmbë.

Nëse Valentino vendos vërtet të garojë, do t’i duhet një mrekulli që të rikuperojë terren për titullin, pasi është 42 pikë larg.

Por, sidoqoftë, me ose pa Rossin në pistë, Çmimi i Madh i Spanjës do të jetë spektakolar. Në sezonet e fundit, Marquez dhe Lorenzo kanë marrë nga dy fitore secili, ndërsa skuadra e Ducatit ka vuajtur shumë në këtë pistë. “Motorland Aragón” është një pistë në provincën Alcañiz, e gjatë 5.1 km, me 17 kthesa, e pilotët do të bëjnë në total 23 xhiro në garë.

Top Channel